
Po, fëmijët në moshën e shkollës fillore kanë nevojë për kohë dhe mendime private dhe zakonisht nuk ngurrojnë të ta bëjnë të ditur këtë. Megjithatë, duhet të jeni të vetëdijshëm që kjo moshë mund të jetë mjaft e ndërlikuar kur bëhet fjalë për privatësinë: një ditë fëmija juaj mund të këmbëngulë të lahet i vetëm dhe ditën tjetër të kërkojë të rrini e të flisni me të ndërsa lahet.
Fëmija juaj ndoshta do të dëshirojë të përdorë tualetin i vetëm, të vishet dhe zhvishet vetë, të lexojë në dhomën e tij, apo të luajë me një shok/shoqe pa qenë nën vëzhgimin tuaj. Do të dëshirojë gjithashtu të flasë në telefon pa u dëgjuar dhe të mbajë për vete mendimet e tij përmes një ditari.
Pse është e rëndësishme privatësia në këtë moshë?
Të kesh mendime dhe sende personale që askush tjetër – veçanërisht familjarët – nuk mund t’i shohë apo prekë, është shumë tërheqëse për një fëmijë në këtë moshë. Prandaj ditarët me çelësa janë kaq popullorë.
Fëmija juaj mund të fillojë të kundërshtojë papritur ndarjen e dhomës me motrën ose vëllain më të vogël, për shkak të dëshirës për vetmi dhe kontroll mbi hapësirën e tij.
Edhe nëse këto kërkesa ju duken qesharake ose të bezdisshme, mos qeshni dhe mos e humbni durimin. Dhe, pavarësisht sa kuriozë të jeni, rezistojini tundimit për të lexuar ditarin e tij/saj, për të kërkuar nëpër sirtarë apo për të lexuar letrat dhe shënimet që shkëmben me shokët e shoqet.
Në vend të kësaj, tregoni respekt për dëshirat e fëmijës suaj, ashtu siç dëshironi që ai të respektojë kërkesat tuaja për privatësi.
Nëse jeni të shqetësuar për sjelljet e djalit/vajzës, njihuni me miqësinë e tij, mësoni çfarë ndodh në shkollë dhe pyesni për aktivitetet që bën me shoqërinë. Nëse shqetësimet vazhdojnë, kërkoni ndihmë nga një profesionist.
Jepini fëmijës suaj kontroll mbi kufijtë e trupit të tij
Është shumë e rëndësishme që në këtë moshë të forconi mesazhin se fëmija juaj ka të drejtë të vendosë kufij rreth trupit të vet dhe se privatësia është një pjesë normale e rritjes.
Fëmija duhet të dijë tashmë se askush nuk duhet ta prekë në pjesët intime të trupit dhe se nuk duhet të tolerojë prekjet e papërshtatshme. Ka gjithashtu të drejtë të refuzojë një përqafim (edhe nëse është nga gjyshja) apo ndonjë gjest tjetër fizik që nuk e dëshiron.
Gjithashtu, është e rëndësishme të bëni të qartë se masturbimi është një aktivitet personal, që duhet bërë vetëm në privatësinë e dhomës së tij apo banjës.
Mos u shqetësoni, kërkesa për privatësi është shenjë e mirë
Mbi të gjitha, ndihuni të qetë kur fëmija juaj kërkon të rrijë vetëm, kjo është një shenjë e shëndetshme e pavarësisë së tij/saj në rritje.
Por privatësia nuk do të thotë “bëj ç’të duash”
Të respektoni kufijtë e fëmijës nuk do të thotë që ai/ajo ka të drejtë të kontrollojë gjithçka. Për shembull, nëse nuk është e mundur të ketë një dhomë vetëm për vete, ndihmojeni të krijojë një hapësirë personale brenda asaj që ndan me dikë tjetër.
Gjithashtu, vendosni rregulla të qartë që tregojnë se e kuptoni dëshirën e tij për privatësi, por gjithsesi keni përgjegjësi për ta mbikëqyrur.
Për shembull, nëse ai/ajo kërkon të rrijë vetëm në dhomën e vet për një kohë të gjatë, mund të përgjigjeni në mënyrë të qetë:
“E kuptoj që do të rrish vetëm tani me derën e mbyllur. Do të zbres poshtë për gjysmë ore, por do të trokas kur të vij të shoh si je.”
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare