
Nga mosha 2 deri në 3 vjeç, fjalori i të folurës së fëmijës tuaj mund të rritet deri në 300 fjalë, ndërsa ai i kuptuar deri në 900 fjalë. Por jo të gjithë fëmijët fillojnë të flasin në mënyrë të qartë e me fjali të plota sapo mbushin 2 vjeç. Disa vazhdojnë të përdorin gjeste dhe fjalë shumë të thjeshta për muaj të tërë, ndërsa të tjerë flasin pa ndalur, por në një mënyrë që ndoshta vetëm ju mund ta kuptoni.
Të folurit me gabime është krejt normale.
Fëmijët në parashkollor gjithashtu priren të ngatërrojnë renditjen e fjalëve kur përpiqen të flasin shpejt ose mund të belbëzojnë. Këto sjellje janë pjesë e zhvillimit dhe zakonisht kalojnë me kohën, pa nevojën e terapisë së të folurit.
Po kur duhet të shqetësoheni?
Këto janë disa shenja paralajmëruese që mund të tregojnë vonesa në të folur:
Fëmija flet shumë pak ose fare.
Nuk përpiqet të imitojë të folurën e të rriturve.
Lë jashtë tingujt e bashkëtingëlloreve.
Nuk përdor fjali me 2 deri në 4 fjalë deri në kohën kur afrohet mosha 3 vjeç.
Nuk bën pyetje si “Çfarë është ajo?” ose duket i frustruar kur nuk e kuptojnë.
Jeta juaj tani
Në këtë moshë, fëmijët janë në kulmin e përthithjes së fjalëve, shprehjeve dhe toneve. Por përveç se çfarë thonë, rëndësi ka edhe si e mësojnë komunikimin: kur të flasin, kur të ndalen, si të shprehin ndjenja apo zhgënjime. Pikërisht këtu hyn nevoja për të vendosur kufij të qartë, jo vetëm për sjellje të mira, por edhe për zhvillimin e aftësive të komunikimit.
Shumë specialistë të zhvillimit të fëmijëve mendojnë se rreth moshës 2 vjeç, është momenti i duhur për të nisur përdorimin e metodave të buta të disiplinës, si “time-out”, që e ndihmon fëmijën të kuptojë pasojat, por edhe t’i japë emër ndjenjave që po përjeton.
Ja si mund ta përdorni këtë si një mjet për të ndihmuar fëmijën të mësojë të shprehet më mirë:
Paralajmërimi me fjalë të thjeshta: Jepini fëmijës mundësinë të ndalojë sjelljen me një frazë të qartë: “Nëse vazhdon, do të shkosh pak në pushim për t’u qetësuar.” Kjo mëson kuptimin e shkak-pasojës, por edhe struktura të thjeshta gjuhësore.
Një vend i qetë për të reflektuar: Një fëmijë i mbingarkuar s'mund të flasë mirë. Një “time-out” i shkurtër i jep hapësirë të mësojë edhe kontrollin e emocioneve, që është thelbësor për komunikimin.
Mos bëni moral gjatë pushimit: Heshtja gjatë “time-out”-it e mëson fëmijën se ka momente kur nuk flitet, por mendohet. Kjo forcon edhe vetëdijen gjuhësore.
Përqendrohuni te sjellja, jo fëmija: Kur i thoni “nuk më pëlqeu si hodhe lodrën”, në vend të “je i keq”, i jepni fëmijës fjalët e duhura për të kuptuar veten dhe për të përmirësuar komunikimin emocional.
Përdorni një kohëmatës të vogël: 30 sekonda deri në 1 minutë janë të mjaftueshme për një 2-vjeçar. Më pas, kthehuni me një pyetje si: “Je gati të flasim tani?”
Kaloni në një aktivitet pozitiv: Mos e mbyllni me kritikë. Jepini mundësinë të “rifillojë”, ndoshta me një lojë që nxit të folurën, si të emëruarit e ngjyrave, të treguarit të historive apo këngë të thjeshta.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare