
Nëse je shtatzënë dhe s’i ndahesh dot banjës, je krejt normale. Rreth 80–95% e grave shtatzëna përjetojnë urinim të shpeshtë, një simptomë e zakonshme, por tejet bezdisëse.
Çfarë ndodh me trupin tënd
Hormonet dhe rritja e mitrës janë fajtorët kryesorë. Mitra shtyp fshikëzën dhe të bën të ndihesh sikur do të urinosh çdo moment.
Gjatë tremujorit të parë, fillon herët, madje që në javët e para.
Në të dytin, lehtësohet pak, sepse mitra ngrihet më lart.
Në fund të shtatzënisë, rikthehet me “fuqi të dyfishtë”, pasi bebi zbrit në legen dhe shtyp fshikëzën.
Pse ndodh kjo
Gjatë shtatzënisë, vëllimi i gjakut pothuajse dyfishohet, kështu që veshkat përpunojnë më shumë lëngje.
Hormonet i zbusin ligamentet e uretrës, duke e bërë më të vështirë mbajtjen e urinës.
Kur shtrihesh natën, trupi përthith lëngjet e mbajtura në këmbë, ndaj ke më shumë nevojë për t’u ngritur për në tualet.
Kur urinimi bëhet problem
Nëse përveç urinimit të shpeshtë ke: djegie, dhimbje barku, temperaturë apo urinë me erë apo ngjyrë të çuditshme, mund të bëhet fjalë për infeksion urinar, fol me mjekun menjëherë.
Nëse të “rrëshqet” pak urinë në të brendshme
Kjo është shumë e zakonshme në tremujorin e tretë ose pas lindjes.
Bëj ushtrime Kegel për të forcuar muskujt e legenit.
Mos e mbaj urinën gjatë.
Si ta lehtësosh
Mos e kufizo ujin, dehidratimi nuk është zgjidhje. Pi sa të jetë e nevojshme që urina të jetë e verdhë e hapur.
Kufizo kafenë, çajin dhe pijet me gaz.
Zbraz plotësisht fshikëzën duke u përkulur pak përpara kur urinon.
Mos pi shumë para gjumit që të mos zgjohesh shpesh natën.
Pas lindjes
Pasi lind, do të urinosh shpesh për disa ditë, trupi po heq lëngjet e tepërta. Brenda rreth pesë ditësh, çdo gjë stabilizohet, dhe deri në kontrollin e javës së gjashtë, shumica e grave kthehen në ritmin normal.
Nëse pas 12 javësh nga lindja ke ende rrjedhje apo probleme me urinimin, kërko ndihmën e mjekut, ka mënyra efektive për ta trajtuar.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare