
Është plotësisht normale që bebet, qofshin djem apo vajza, të prekin organet e tyre gjenitale që në moshën 4 deri në 6 muajsh. Kjo ndodh sepse ata fillojnë të zbulojnë trupin e tyre dhe kontrollin e duarve. Ashtu si prekin veshët apo këmbët, ata prekin edhe pjesët intime, thjesht si pjesë e kuriozitetit dhe veteksplorimit.
Edhe fëmijët më të rritur (deri në moshën 5–6 vjeç) mund t’i prekin organet gjenitale në çdo moment, gjatë ndërrimit të pelenës, gjumit apo edhe në publik sepse u jep ndjesi rehatie dhe kënaqësie.
Si të reagosh si prind
Qetësohu. Mos qesh, mos u turpëro dhe mos i thuaj fëmijës që është “keq” apo “turp” ta bëjë. Kjo mund të krijojë ndjenja faji dhe fshehtësie për trupin.
Mos e ndalo me forcë, por përdore si mundësi për ta mësuar emërtimin e saktë të pjesëve të trupit gjatë larjes (p.sh. penis, vulvë, vagina, testikuj).
Rreth moshës 2 vjeç, shpjegoji se prekje të tilla janë në rregull, por duhen bërë vetëm në vende privat, si në dhomën e gjumit.
Mësoje gjithashtu se askush tjetër nuk duhet t’i prekë organet e tij dhe se duhet të të tregojë menjëherë nëse ndodh diçka e tillë.
Kur duhet të shqetësohesh
Zakonisht kjo sjellje nuk tregon asnjë problem mjekësor. Megjithatë:
Vajzat mund të kenë vulvovaginit (skuqje ose irritim nga rrobat e ngushta, detergjentët apo pelenat e lagështa).
Djemtë mund të kenë balanit (skuqje apo infeksion në kokën e penisit).
Në këto raste fëmija mund të preket nga kruarja apo shqetësimi, jo nga kënaqësia. Kontrollo zonën për skuqje, enjtje ose sekrecione dhe konsulto mjekun nëse diçka duket jo normale.
Kur të kërkosh ndihmë profesionale
Flisni me mjekun nëse:
Sjellja ndodh shumë shpesh dhe nuk mund të ndalet me shpjegime.
Fëmija e bën edhe në publik, edhe pasi i ke folur.
Shfaq dhimbje ose plagë.
Ka ndryshime në sjellje (zemërim, trishtim, agresivitet, urinim në shtrat).
Sjellja ngjan me veprime seksuale të të rriturve.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare