
Ekspertët rekomandojnë që foshnjat dhe fëmijët nën 2 vjeç të mos konsumojnë aspak sheqer të shtuar.
Çfarë është sheqeri i shtuar?
“Sheqer i shtuar” është çdo lloj sheqeri ose shurupi që i shtohet ushqimeve apo pijeve gjatë përgatitjes ose përpunimit. Burimet më të zakonshme janë: pijet e ëmbëlsuara (përfshirë disa lloje lëngjesh frutash), ëmbëlsirat, snack-et dhe shumë ushqime të paketuara si:
salca domatesh
bukë
gjalpë kikiriku
komposto ose mollë e përpunuar
Në etiketë, sheqeri mund të shfaqet me emra të ndryshëm, si: sukrozë, shurup misri me fruktozë të lartë, nektar agave, sheqer kallami, malt elbi etj. Kur lexoni etiketat, shmangni ushqimet që kanë të paktën 1 gram ose më shumë sheqer të shtuar.
Sheqeri natyral nuk është problem
Sheqeri që gjendet natyrshëm në fruta dhe produkte qumështi është i sigurt për foshnjat, sepse vjen bashkë me vitamina, minerale dhe fibra që janë thelbësore për zhvillimin.
Pse sheqeri i shtuar është i dëmshëm për foshnjat
Ofron kalori bosh pa vlera ushqyese.
Lidhet me mbipeshë, diabet dhe sëmundje të zemrës në moshë më të madhe.
Rrit rrezikun për karies dentar dhe prishje të dhëmbëve.
Ndikon në formimin e shijeve, fëmijët që mësohen herët me ushqime shumë të ëmbla, refuzojnë më vonë frutat dhe perimet.
Për fëmijët mbi 2 vjeç, udhëzimet ushqyese sugjerojnë që jo më shumë se 10% e kalorive ditore të vijnë nga sheqernat e shtuara.
A mund të jenë foshnjat alergjike ndaj sheqerit?
Alergjitë e vërteta ndaj sheqerit janë shumë të rralla. Megjithatë, disa foshnja mund të kenë intolerancë (jo alergji), për shembull, diarre pas konsumimit të tepërt të lëngjeve të ëmbla.
A mund të hanë karamele foshnjat?
Jo. Karamelet janë të rrezikshme për mbytje dhe plot sheqer pa vlera ushqyese.
Pas moshës 2 vjeç, fëmijët mund të konsumojnë herë pas here një copë çokollatë të butë ose një biskotë të vogël, por jo çdo ditë.
Fëmijët nën 4 vjeç nuk duhet të hanë karamele të forta ose të ngjitshme.
Këshilla për prindërit
Mos i jepni foshnjës pije ose ushqime të ëmbla të paketuara.
Lexoni etiketat ushqimore për “added sugars/ sheqer i shtuar”.
Mos lejoni të afërmit t’i ofrojnë fëmijës karamele apo pije me sheqer, çdo kalori duhet të ketë vlerë ushqyese.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare