
Në javët e para të shtatzënisë, bebi yt po zhvillon çdo ditë diçka të re dhe një nga gjërat më interesante është dëgjimi. Shpesh dëgjojmë se bebet mund të njohin zërin e nënës që në bark, por kur ndodh kjo saktësisht?
Nga java e 16-të deri në të 22-tën, bebi fillon të dëgjojë tingujt e parë, ato që vijnë nga brenda trupit tënd: si frymëmarrja, rrahjet e zemrës apo edhe zhurmat e tretjes. Këta tinguj janë të zbehtë në fillim, por me kalimin e javëve bëhen gjithnjë e më të qartë.
Pas javës së 23-të, ai apo ajo mund të dëgjojë edhe zëra nga jashtë, përfshirë zërin tënd. Madje zëri yt është ai që dëgjohet më fort dhe më qartë nga të gjithë, sepse rezonon përmes trupit tënd. Edhe pse në këtë fazë bebet dëgjojnë më mirë tonet e ulëta (prandaj ndonjëherë zëri mashkullor perceptohet më lehtë), ata fillojnë të njohin dhe preferojnë zërin e nënës.
Nga java e 26-të, bebi mund të fillojë të reagojë ndaj tingujve, me lëvizje, ndryshim të rrahjeve të zemrës apo frymëmarrjes. Disa studime me eko kanë treguar se bebet mund të ndryshojnë shprehjet e fytyrës kur dëgjojnë muzikë apo zëra të caktuar.
Nga fundi i shtatzënisë, diku nga java e 32-të deri në të 35-tën, veshët janë të formuar plotësisht dhe bebi është gati të dëgjojë gjithçka, si nga bota e brendshme, ashtu edhe nga jashtë saj.
Pavarësisht se çfarë dëgjon, tingujt janë të zbutur për të sepse kalojnë nëpër disa shtresa si lëkura, mitra dhe lëngu amniotik. Megjithatë, zëri yt është gjithmonë më i afërti dhe më i qarti.
Si mund ta ndihmosh zhvillimin e dëgjimit të bebit?
Nuk ka nevojë për asgjë të ndërlikuar, mjafton të flasësh, të lexosh apo edhe të këndosh me zë të lartë. Bebi dëgjon dhe e ndjen praninë tënde. Po ashtu, kujdes me medikamentet, shmang zhurmat shumë të forta për periudha të gjata dhe zgjidh me kujdes peshkun që ha (për shkak të mërkurit).
Edhe nëse të tundon ideja për t’i vendosur kufje në bark dhe t’i luash Mozartin, mjafton një ambient i qetë me muzikë të lehtë në sfond. Tingujt shumë të fortë mund të jenë të dëmshëm për dëgjimin e tij.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare