
Shpesh, në fotot e bëra me blic, sytë e foshnjave duken me refleks të kuq, një dukuri krejt normale që vjen nga drita që pasqyrohet nga retina. Por, në disa raste të rralla, një sy mund të duket i bardhë, i verdhë ose i zi. Ky efekt, i quajtur leukokori, mund të jetë shenjë e një problemi serioz në sy.
Leukokoria ndodh kur drita reflektohet ndryshe nga zakonisht në beben e syrit. Ndonjëherë është krejt e padëmshme, por në raste të tjera mund të tregojë për katarakt (mjegullim i thjerrëzës së syrit) ose, më rrallë, për retinoblastom,– një formë e rrallë kanceri të retinës që prek foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Prindërit janë zakonisht të parët që e vënë re këtë refleks të pazakontë në foto. Mjekët shpjegojnë se nëse shfaqet vetëm një herë, mund të jetë thjesht efekt këndi apo drite, por nëse përsëritet në disa foto, duhet njoftuar menjëherë pediatri, që më pas mund t’ju dërgojë te një mjek specialist për sy.
Edhe pse në shumicën e rasteve nuk është asgjë serioze, është më mirë të kontrollohet menjëherë, sepse në rastet e rralla kur ka katarakt apo tumore, trajtimi i hershëm mund të shpëtojë shikimin (dhe në rastin e retinoblastomës, edhe jetën e fëmijës).
Sipas specialistëve, leukokoria e padëmshme shfaqet në rreth 1 në 200 foto të fëmijëve pa asnjë sëmundje të syve. Megjithatë, mjekët theksojnë: më mirë një kontroll i tepërt sesa një rrezik i anashkaluar.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare