
Hiperleksia është aftësia e jashtëzakonshme e një fëmije për të lexuar shumë më herët dhe më mirë se bashkëmoshatarët e tij, ndonjëherë që në moshën 2 deri në 4 vjeç. Disa fëmijë me hiperleksi mësojnë të lexojnë vetë, shpesh pa mësim formal. Shpesh kjo aftësi lidhet me autizmin, por jo gjithmonë.
Llojet e hiperleksisë
Ekspertët e ndajnë në tre lloje:
Hiperleksia tip 1 – Fëmijë shumë inteligjentë dhe pa ndonjë çrregullim zhvillimi, që thjesht lexojnë shumë herët. Kuptojnë mirë çfarë lexojnë dhe bashkëmoshatarët e tyre i arrijnë më vonë.
Hiperleksia tip 2 – Lidhet me autizmin. Fëmija ka aftësi të jashtëzakonshme për fjalët, numrat dhe kujtesën, por vështirësi në komunikim, shoqërim dhe kuptim të leximit. Mund të ketë sjellje të përsëritura, shmangie të kontaktit me sy dhe ndjeshmëri të lartë ndaj tingujve apo dritës.
Hiperleksia tip 3 – Fëmijë që lexojnë herët dhe tregojnë disa sjellje të ngjashme me ato të autizmit, por pa pasur autizëm. Zakonisht përmirësohen me kohën dhe kuptimi i leximit i tyre është i mirë ose mbi mesataren.
Shenjat më të zakonshme
Lexon shumë përtej moshës së tij
Ka kujtesë të jashtëzakonshme
Është i fiksuar pas shkronjave, numrave, librave apo hartave
Ka vështirësi në komunikim dhe shoqërim
Flet me përsëritje
Shmang kontaktin me sy
Ka ndjeshmëri ndaj zhurmave apo teksturave
Nuk do ndryshime dhe mund të ketë frikëra apo reagime të forta
Diagnoza
Hiperleksia nuk është diagnozë më vete, por një tipar që mund të lidhet me autizmin ose vështirësi të tjera gjuhësore. Mjeku mund të sugjerojë vlerësim nga specialistë për zhvillim, psikologë, terapistë të të folurit apo profesionistë të tjerë që ndihmojnë të kuptohet origjina dhe nevojat e fëmijës.
Si ndihmohet një fëmijë me hiperleksi
Terapia e të folurit dhe e komunikimit ndihmon për të zhvilluar aftësitë shoqërore.
Ndihma shtesë në shkollë për kuptimin e leximit ose përqendrimin.
Terapia profesionale për ndjeshmëritë shqisore dhe shkathtësitë e përditshme.
Përdorimi i vizualizimeve dhe grafikëve ndihmon fëmijët që lexojnë më mirë sesa kuptojnë.
Shfrytëzoni pasionet e tyre (p.sh. kafshët apo numrat) për t’i përfshirë në mësim dhe shoqërim.
Lidhja me autizmin
Rreth 6 deri në 21% e fëmijëve me autizëm kanë hiperleksi, ndërsa rreth 84% e fëmijëve me hiperleksi janë gjithashtu në spektrin autik. Megjithatë, disa fëmijë me hiperleksi janë thjesht lexues të hershëm shumë të talentuar dhe jo autikë.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare