
Nëse ke dëshirë për një gotë Coca-Cola apo ndonjë tjetër pije me gaz, mos u shqetëso, një herë nuk bën dëm. Por nëse është bërë zakon ditor, atëherë është mirë të mendohesh pak më shumë.
Ekspertët thonë se një sasi e vogël deri mesatare e kafeinës gjatë shtatzënisë, deri në 200 mg në ditë, është e pranueshme. Por duhet llogaritur edhe kafeina që merr nga burime të tjera si kafeja, çaji apo çokollata. Një kanaçe lëng i gazuar përmban zakonisht 35-55 mg kafeinë, kështu që pi me masë.
Pse duhet të kujdesesh? Sepse kafeina kalon në placentë dhe, ndonëse trupi yt e përpunon shpejt, trupi i bebit ende po zhvillohet dhe e përthith më ngadalë, duke e ekspozuar më gjatë ndaj saj. Disa studime kanë gjetur lidhje mes konsumit të lartë të kafeinës dhe rrezikut për të pasur një beb me peshë më të vogël se normalja për javën e lindjes.
Edhe pijet pa kafeinë apo dietike nuk janë zgjedhje ideale. Shumica janë të mbushura me sheqer ose ëmbëlsues artificialë dhe konsumimi i tepërt mund të ndikojë si në peshën tënde gjatë shtatzënisë, ashtu edhe në zhvillimin e bebit.
Po pijet dietike, janë më të sigurta?
Jo domosdoshmërisht. Një studim i madh ka treguar se gratë shtatzëna që pinin çdo ditë pije dietike kishin deri në 80% më shumë gjasa për të lindur para kohe. Të tjera studime kanë sugjeruar një lidhje mes konsumit të rregullt të pijeve dietike dhe mbipeshës te foshnjat deri në ditëlindjen e parë.
Çfarë të pish në vend të tyre?
Ujë i thjeshtë – Shtoji limon, kastravec, mente ose fruta të ngrira për shije më të mirë.
Ujë me gaz (pa sheqer) – Të hidraton pa kalori, por mund të shkaktojë fryrje.
Qumësht me pak yndyrë ose alternativa bimore të pasuruara – Të pasura me kalcium, vitaminë D dhe proteina.
Lëngje frutash ose perimesh 100% – Të shëndetshme, por sigurohu që janë të pasterizuara.
Çajra të sigurtë për shtatzëni – Si çaji i xhenxhefilit, që ndihmon edhe kundër përzierjes.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare